Dokument arkivor i vitit 1918 që propozon Shqipërinë si republikë nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara

Dokument arkivor i vitit 1918 që propozon Shqipërinë si republikë nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara

Në nëntor të vitit 1918, në kulmin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Shtetet e Bashkuara u botua një tekst i jashtëzakonshëm që sot duket pothuajse i pabesueshëm. Në revistën The Christian Work, William Willard Howard, Sekretar i Fondit të Ndihmës për Ballkanin, propozoi që Shqipëria të shpallej Republikë nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara për 25 vjet.

Artikulli iu dërgua Presidentit Woodrow Wilson nga kryeredaktori Frederick Lynch, si një thirrje për veprim në emër të një populli që, sipas autorit, ishte shkatërruar nga luftërat, pushtimet dhe uria.

Howard e përshkruan Shqipërinë si një vend të rrënuar nga dhuna e ushtrive serbe, greke dhe austro hungareze, me qindra fshatra të shkatërruar dhe një popullsi të rraskapitur nga uria. Ai flet për një tokë që kishte humbur gjithçka, por që ende mbante gjallë krenarinë dhe identitetin e vet kombëtar.

Në këtë kontekst, ai paraqet një plan radikal: Shqipëria të bëhej një republikë e modeluar sipas sistemit amerikan, me një qeveri vendase, por nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të SHBA. Sipas tij, Amerika ishte e vetmja fuqi që mund ta bënte këtë pa interesa koloniale, sepse kishte hyrë në luftë “për parime dhe jo për territore”.

Një pjesë qendrore e vizionit të tij ishte diaspora shqiptare në SHBA, të cilën ai e konsideronte bërthamën e Shqipërisë së re. Të rinjtë shqiptarë që jetonin në Amerikë, sipas Howard, kishin përthithur disiplinën, gjuhën dhe mënyrën e jetesës perëndimore dhe ishin më të përgatitur se çdo elitë vendase për të ndërtuar një shtet modern.

Ai shpalos një vizion të qartë për ringritjen ekonomike: rrugë, bujqësi moderne, fabrika, shfrytëzim burimesh natyrore, energji nga ujërat malorë dhe industri për eksport. Në thelb, Shqipëria shihej si një vend me potencial të madh, por që, sipas tij, kishte nevojë për “dorë të fortë” dhe drejtim perëndimor për të dalë nga prapambetja.

Sot, gjuha e këtij dokumenti tingëllon thellësisht kolonialiste dhe paternaliste. Shqiptarët përshkruhen si të mbetur në Mesjetë dhe elitat vendase si të paafta. Megjithatë, teksti mbetet një dëshmi e rrallë historike që tregon se sa afër ishte Shqipëria një rruge krejt tjetër politike dhe gjeopolitike.

Ky dokument na kujton se Shqipëria nuk ishte thjesht një cep i harruar i Evropës, por një çështje reale në tavolinat e fuqive të mëdha, me të ardhmen e saj ende të paqartë.

Shënim redaksional:
Ky dokument arkivor u zbulua nga arkivisti Bejtullah Destani dhe u përkthye në shqip nga Enik Pogaçe, ligjerues në Tirana Business University.